BRUKSEL, KOSOVA DHE SERBIA ARRIJNË MARRËVESHJE PËR ENERGJINË

Kosova dhe Serbia kanë miratuar në Bruksel udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, në kuadër të takimit të kryenegociatorëve, atij kosovar Besnik Bislimi dhe atij serb Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Arritjen e marrëveshjes e ka bërë të ditur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në rrjetet sociale. “Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, shkroi Lajçak. Në mesin e pikave të marrëveshjes, përmendet se Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë furnizimi me energji elektrike për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës. Për arritjen e marrëveshjes ka shkruar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. “Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi në rrjetet sociale.

SHARE