VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR E KANË “RRUGËN E VET NË PROCESIN E ZGJERIMIT”

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian për t’ua dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, këto dy shtete e kanë tejkaluar formalisht Bosnje-Hercegovinën në procesin e zgjerimit, ndonëse ky shtet ka aplikuar qysh më 2016. Për dallim nga Bosnja, Kosova as nuk ka aplikuar ndonjëherë për anëtarësim. Sipas burimeve diplomatike në BE, zyrtarët e bllokut kanë pasur mjaft diskutime rreth asaj sesi do të kuptohet në Ballkanin Perëndimor dhënia kaq e shpejtë e rekomandimit për Ukrainën dhe Moldavinë, ndërkohë që vendet e rajonit presin me vite dhe procesi ec ngadalë apo fare. Edhe në një konferencë për media të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Komisionarit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, zyrtarët janë pyetur lidhur me Ballkanin Perëndimor. Në pyetjen se pse nuk është shfrytëzuar rasti për të rekomanduar statusin e kandidatit edhe për Bosnje e Hercegovinën, Varhelyi ka thënë se ky shtet e ka “rrugën e vet”. “Bosnja e Hercegovina po ndjek procesin e vet në këtë rrugë dhe ka 14 kushte që duhet plotësuar. Po e presim këtë shtet që të lëvizë në përmbushjen e këtyre kritereve”, ka thënë ai. Ai është pyetur edhe nëse do të ndryshohet korniza negociuese e BE-së për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, siç po kërkon Bullgaria. “Nuk jam në dijeni për asnjë kornizë negociuese, por jam në dijeni për një bllokim të plotë në Sofje. Në këtë moment nuk mund të flasim për asnjë kornizë negociuese”, është përgjigjur Varhelyi. “Shpresojmë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë konferencën e parë ndërqeveritare (ku nisen negociatat e anëtarësimit) dhe të mos ketë vonesa të reja. Po flasim për ditë e jo muaj”, ka thënë mes tjerash Komisionari i BE-së.

SHARE