Shira të rrëmbyer, erëra të dhunshme, stuhi breshëri e përmbytje të befasishme priten në Turqinë veriore dhe atë qendrore, pas një fundjave me përmbytje që raportohet se morën jetën e të paktën katër personave. Paralajmërime për mot të keq janë në fuqi në 42 qytete dhe fshatra, duke përfshirë dhe kryeqendrën e vendit, Ankaranë ku shkollat janë mbyllur. E ngjashme paraqitet situata dhe në qytetin Gemerek, në rajonet qendrore të vendit. Tre prej viktimave u shënuan në afërsi të Ankarasë dhe një tjetër në provincën e Karamanit, shkruajnë mediat lokale. Ekipet e shpëtimit janë gjithashtu në kërkim të një personi që rezulton i zhdukur.Tetë fshatra të provincës veriore të Kastamonu kanë mbetur të izoluara pas dëmtimit të disa rrugëve. Vitin e kaluar, rreth 100 njerëz vdiqën nga ngjarje të dhunshme të lidhura me motin në Turqi, duke përfshirë vërshimet e papritura të ujit, zjarret dhe thatësirat. Fatkeqësi të tillë bënë që çështjet e klimës të ngriheshin lart në axhendën politike, veçanërisht mes votuesve të rinj. Një tërmet i magnitudës 5 sipas shkallës Rihter ka shkundur sakaq provincën e Vanit, në lindje të vendit. Tërmeti ndodhi në orët e para të mëngjesit e lëkundjet janë ndjerë deri në provincat fqinj, por fatmirësisht ato nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz.