QEVERIA MBËSHTET TË GJITHA INICIATIVAT QË NËNKUPTOJNË PROGRESIN E PËRGJITHSHËM TË VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Qeveria e Malit të Zi mbështet të gjitha iniciativat që nënkuptojnë progresin e përgjithshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri Dritan Abazoviq në hapjen e Samitit të Nismës për Ballkanin e Hapur në Ohër. Ai tha gjithashtu se ideja e Ballkanit të Hapur nuk duhet të perceptohet si një ide e politikanëve, por një ide për qytetarët dhe biznesin. “Unë e shoh nismën e Ballkanit të Hapur si një ndihmë në krijimin e një të ardhmeje më të mirë së bashku, bazuar në progresin ekonomik, biznesin, lëvizshmërinë më të madhe, mundësitë më të mëdha për bashkëpunim dhe miqësi më të madhe. Për mendimin tim, kjo është ideja e Ballkanit të Hapur”, tha Abazoviq. Siç tha ai, hapi i parë në ndërtimin e marrëdhënieve është dialogu. “Dialogu çon në rritjen e besimit tonë të ndërsjellë, dhe rritja e besimit na bën që të mos kemi frikë nga njëri-tjetri. Politikat retrograde, politikat e së kaluarës, politikat e bazuara në institucione të dobëta, mosrespektimi, i kanë mbajtur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor këtu ku janë tani”, tha ai. Çdo ide që çon në përparim, siç tha Abazoviq, do të ketë mbështetjen e Qeverisë së Malit të Zi. Kryeministri tha gjithashtu se Ballkani Perëndimor i përket një familjeje të madhe evropiane. “Ne në Ballkanin Perëndimor meritojmë një histori tjetër, ne meritojmë një histori që do të shprehë më të mirën që shprehin të gjitha kombet këtu individualisht”, tha Abazoviq. „Të gjitha temat e diskutuara kanë të bëjnë ekskluzivisht me standardin jetësor të qytetarëve të rajonit,“ tha kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq në konferencën e përbashkët përfundimtare të pesë liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin për Ballkanin e Hapur në Ohër. “Kjo është padyshim një qasje e re, paraqet një kthesë totale nga ajo që është trajtuar deri më tani. Apeloj që herën tjetër të mos jemi pesë, por gjashtë”, tha Abazoviq. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq reagoi pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkroi mbrëmë në Facebook se pjesëmarrja e Abazoviqit “fut zyrtarisht Malin e Zi në ‘Ballkanin e Hapur’”. Abazoviq tha se nuk ka shkuar në Ohër për t’iu bashkuar nismës Ballkani i Hapur, por për të shprehur qëndrimin e tij ndaj projektit me partnerët e BE-së dhe NATO-s. “Nuk shkojë në Ohër për t’u bashkuar Ballkanit të Hapur, por, për të shprehur së bashku me partnerët e BE-së dhe aleatët e NATO-s qëndrimin tonë ndaj një nisme rajonale në mënyrë që të kemi më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim më të mirë në fund të ditës,” tha Abazoviq.

SHARE