“BALLKANI I HAPUR”, NËNSHKRUHEN MEMORANDUME NË MË SHUMË FUSHA

Në kuadër të samitit “Ballkani i Hapur” që mbahet në Ohër, janë realizuar disa bashkëpunime të dakorduara, me nënshkrimin e memorandumeve konkrete dhe marrëveshjeve për bashkëpunim në më shumë fusha mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë. Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe titujve shkencorë të lëshuar në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara në të tre vendet u nënshkrua nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo marrëveshje pritet të përshpejtojë procesin e pranimit të diplomave dhe kompetencave profesionale, që është një hap tjetër drejt një tregu të përbashkët të fuqisë punëtore. Memorandumi i Bashkëpunimit në Kulturë u nënshkrua nga ministrja e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, dhe zv/kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Kulturës dhe Informacionit e Serbisë, Maja Gojkoviq. Një nga qëllimet e këtij memorandumi është krijimi i një Kalendari të Përbashkët të ngjarjeve kulturore që do të sjellë lëvizshmëri më të madhe dhe do të inkurajojë turizmin kulturor. Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e turizmit u nënshkrua nga ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, dhe ministrja e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit e Serbisë, Tatjana Matiq. Ky memorandum pritet të promovojë së bashku rajonin si një destinacion tërheqës turistik. U nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin e administratave tatimore nga krerët e institucioneve tatimore të tre shteteve, e cila krijon një mundësi të re për lëvizjen më të lehtë ndërkufitare të njerëzve, mallrave ose shërbimeve. Gjithashtu, në kuadër të samitit, paraprakisht janë mbajtur dy seanca plenare, një në fushën e turizmit dhe një në fushën e kulturës, ku morën pjesë zyrtarë qeveritarë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia. Iniciativa “Ballkani i Hapur” aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë, qarkullimit të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit për rreth 12 milionë njerëz, si dhe të inkurajojë integrimin e të tre vendeve në BE. Për herë të parë në një samit të kësaj iniciative janë pjesë edhe liderët nga Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët mbështetën nismën, duke shprehur dëshirën për t’iu bashkuar iniciativës në të ardhmen.

SHARE