Bashkimi Evropian përshëndeti zbatimin praktik të masave kufizuese të Malit të Zi ndaj Rusisë, gjë që u shfaq në ndalimin e fluturimit të avionit të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, tha zëdhënësi i KE-së, Peter Stano për TVMZ. Ai përkujtoi se BE-ja dhe shumë vende po aplikojnë sanksione që ndalojnë avionët rusë të fluturojnë mbi territorin e tyre dhe se po zbatojnë gjithashtu “ndalimin e udhëtimit për nxitësit e luftës dhe individë si Lavrov”. I pyetur për të komentuar kërcënimet ndaj vendeve që ndaluan fluturimin e avionit, Stano tha se nuk sheh arsye për të komentuar komentet e pahijshme. “Ne nuk shohim absolutisht asnjë arsye për të komentuar kërcënimet dhe vërejtjet e papërshtatshme nga dikush që është në listën e sanksioneve të BE-së, sepse ai është një nga promovuesit dhe mbështetësit më të zhurmshëm të agresionit të paligjshëm rus në Ukrainë dhe për shkak të angazhimit të tij të vazhdueshëm në aktivitete dezinformuese,” tha Stano. Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, tha se me ndalimin e fluturimit të avionit të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, Mali i Zi ka përmbushur angazhimet e tij, duke vënë në dukje se vendimi ishte i pashmangshëm.