Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se janë “të pavërtetat famëkeqe” se komuna ka bllokuar mjetet për pagat e punëtorëve të “Plantacioneve” dhe se kanë biseduar me udhëheqësinë e asaj kompanie dhe se kishte pritshmëri për shtyrjen e afatit të shlyerjes së borxhit tatimor për në shtator. “Të dyja deklaratat janë të pasakta. Dje Plantacionet kishin fonde në llogaritë e tyre për të paguar ndoshta rrogën e një drejtori, ndaj pretendimi i parë është mashtrimi i punëtorëve, se i lamë pa rrogë. Kjo nuk është hera e parë, kështu ata i mashtrojnë punëtorët e tyre. Së dyti, që folëm për shtyrje të afatit dhe kjo është e pasaktë! Askush nga Plantacionet, e sidomos ata që kanë bërë marrëveshje me ne, nuk kanë kërkuar një afat të ri, por asnjëherë nuk kanë telefonuar për të na kërkuar falje që nuk e respektojmë fjalën e dhënë”, ka thënë Gjeloshaj në Facebook. Kurse punëtorët, thotë kryetari Gjeloshaj, le të bllokojnë dhe të bëjnë çfarë të mendojnë. “Vetëm para kësaj le të bllokojnë banesat e drejtorëve të tyre prej gjysmë milioni eurosh, të cilat drejtorët i kanë ndarë me njëri-tjetrin. Ne thjesht mbledhim taksat sipas ligjit, prej tokave të gjyshërave tanë, të cilat na i kanë marrë,“ tha Gjeloshaj. Ai po ashtu ka pyetur se “pse administrata dhe punëtorët e problematizojnë vetëm pagesën për Komunën e Tuzit?”. “Pse i shqetëson kaq shumë komuna jonë? Mos vallë ata janë të vetëdijshëm se na kanë uzurpuar tokat tona, ndaj do të donin të shkatërronin komunën tonë gjithnjë e më shumë – përparimin tonë? Ta dini që sa të jam unë në krye të komunës, kjo nuk do të ndodhë! Nuk do të funksionojë”, ka përfunduar Gjeloshaj.