Komisioni Europian thotë se Kroacia është gati t`i bashkohet eurozonës e të fusë në përdorim si monedhë zyrtare euron në 1 janar të vitit të ardhshëm. Kjo sipas Komisionit, do të forconte ekonominë e vendit e do të sillte përfitime për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë në tërësi. “Ne e mirëpritëm Kroacinë në union në vitin 2013. Tani, kemi dalë në përfundimin se ajo është gati të përdorë monedhën tonë të përbashkët nga 1 janari, 2023.”– tha Paolo Gentiloni , komisioner europian për ekonominë Vlerësimet e KE-së janë që Kroacia në përgjithësi i përmbush të gjithë kriteret përsa i takon stabilitetit të çmimeve dhe kursit të këmbimit, menaxhimit buxhetor dhe normave afatgjata të interesit. Ajo tani mund të bëhet anëtarja e 20-të e eurozonës, por pas rekomandimit të Komisionit, duhet të bien dakord edhe krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të tjera të bllokut. Sapo të ndërmerret ky hap, që pritet në qershor, ministrat e Financave të BE-së pritet të vendosin rreth korrikut kursin e këmbimit në të cilin monedha kroate – kuna – do të konvertohet më 1 janar 2023. Sektori i fuqishëm i turizmit në Kroaci po e pret me padurim futjen e euros dhe ka pritshmëri të mëdha. Por në të njëjtën kohë shumë kroatë druhen se kostoja e jetesës mund të rritet ndjeshëm si rezultat i konvertimit në euro.