Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të mbajtur për media ka bërë të ditur se në fund të qershorit do të mbahet mbledhja e radhës midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Kurti tha se marrëdhëniet mes dy qeverive janë shumë të mira dhe ato do të forcohen edhe me tej në mbledhjen e radhës që ata do ta zhvillojnë së bashku. “Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë janë shumë të mira, po ashtu midis dy Qeverive tona. Ne këtë marrëdhënie do ta forcojmë edhe më tej në mbledhjen e radhës, që do ta mbajmë së bashku”, tha Kurti. Ndryshe, mbledhja e fundit Kosovë-Shqipëri është mbajtur më 26 nëntor 2021 në Elbasan, ndërsa mbledhja e radhës do të mbahet në Kosovë. Në mbledhjen e mbajtur në Elbasan të Shqipërisë ishin nënshkruar 13 marrëveshje, ajo për zbatimin e lehtësirave doganore, marrëveshja për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit të përkohshëm, marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.