Qeveria e Malit të Zi çdo ditë po tregon përkushtimin e saj të qartë ndaj konceptit të Malit të Zi evropian, kanë thënë gjatë takimit të sotëm ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka dhe ambasadori i Kroacisë në Mal të Zi Veselko Grubishiq. Gjeka falënderoi ambasadorin për mbështetjen që Kroacia i jep në vazhdimësi Malit të Zi në rrugën e tij të integrimit evropian, pasi është një anëtar afatgjatë i Unionit. “Të dy vendet ushqejnë marrëdhënie të mira dypalëshe, janë të fokusuar në të ardhmen dhe prosperitetin në komunitetin e vendeve të Bashkimit Evropian,” thanë bashkëbiseduesit, duke shtuar se prioritet është mbajtja e synimeve strategjike nga agjenda evropiane dhe përpjekje për t’i përmbushur ato. Grubishiq kujtoi trashëgiminë e pasur materiale dhe jomateriale të kroatëve në Mal të Zi dhe përsëriti pritshmëritë se mandatet e kësaj Qeverie do të jenë vazhdimësi e bashkëpunimit gjithnjë e më të suksesshëm mes dy vendeve për të gjitha çështjet. Gjeka shprehu besimin se departamenti i të drejtave të njeriut dhe të pakicave do të japë një kontribut të plotë në ruajtjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve të mira me pakicën kroate në Mal të Zi dhe se ekziston një qëllim i justifikuar për të krijuar një njësi të veçantë organizative për t’u marrë me ndërkulturalizmin.