MALI I ZI TË PËRFITOJË NGA HAPJA E BE-së NDAJ ZGJERIMIT

Bashkimi Evropian (BE) ka qenë më i hapur ndaj procesit të zgjerimit që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha Përfaqësuesi Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor Mirosllav Lajçak, duke shtuar se Mali i Zi mund dhe duhet të përfitojë nga momenti politik. Në një intervistë për agjencinë MINA, Lajçak tha se deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron se vendet që nuk janë anëtare të BE-së duhet të bashkohen brenda një organizate të re politike nuk vlen për Malin e Zi. “Pres që Mali i Zi të vazhdojë në rrugën e tij evropiane sepse është vendi më i avancuar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ju keni hapur të gjithë kapitujt. Megjithatë, ky proces disi u ndal. Nuk ka pasur progres në dy vitet e fundit”, tha Lajçak. Siç kujtoi ai, Mali i Zi hapi kapitullin e fundit në qershor 2020. “Nëse e shihni sa përparim ka bërë Shqipëria, sa po luftojnë Maqedonia e Veriut dhe Serbia dhe Mali i Zi duket se ka qenë i mendimit se është i pari dhe se do të jetë gjithmonë i pari. Tani koha e humbur duhet kompensuar”, ka thënë Lajçak.

SHARE