Vëndet anëtare të BE-së nuk arritën të bien dakord për një embargo ndaj naftës ruse, edhe pse diplomatët thonë se do të përpiqen ende të bëjnë përparim përpara samiti dy ditor që nis sot. Ka ende shumë detaje që duhen zgjidhur, pohoi një zyrtar i i lartë i bllokut, sipas të cilit ende ka shpresa për një ujdi, por Hungaria po refuzon të pranojë kompromisin. Shtetet e BE-së po diskutojnë për një propozim, sipas të cilit, shtetet anëtare do të pranonin të vendosnin deri në fund të vitit një bllokadë mbi furnizimet me naftën ruse që vijnë përmes detit për në BE. Përjashtime do t’iu mundësoheshin disa shteteve – Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke – që të pranojnë naftë përmes tubacionit rus Druzhba, që është i gjatë 4,000 kilometra. Budapesti më herët kishte sugjeruar se do të mbështeste përjashtimin, i cili do të lejonte përftimin e naftës përmes tubacionit rus. Por, tani po kërkon koncesione të mëtejme. Vitin e kaluar, Rusia dërgoi gati 720,000 fuçi naftë bruto në ditë në rafineritë europiane përmes tubacionit të saj kryesor në rajon, krahasuar me 1.57 milion fuçi në ditë përmes dërgesave me anije në portet e Baltikut, Detit të Zi dhe Arktik.Shumica e dërgesave përmes tubacioneve shkojnë në Gjermani dhe Poloni, por këto dy shtete kanë lënë të kuptohet se do të tentojnë të ulin varësinë e tyre nga furnizimet ruse pavarësisht çdo veprimi që mund të ndërmarrë BE-ja. Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, tha më 29 maj se ishte i shqetësuar se uniteti i BE-së “ka filluar të rrënohet”, teksa blloku përgatitet që të takohet për të diskutuar për embargon ndaj naftës dhe përpjekjeve të tjera që kanë për qëllim të ulin varësinë nga energjia ruse.