DUKAJ-RAJNKE: MBËSHTETJA E SHBA-së PËR VAZHDIMIN E PROCESEVE TË REFORMËS NË ADMINISTRATËN PUBLIKE

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka takuar sot ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Xhudi Rajzing Rajnke. Ambasadorja Rajnke e uroi ministrin Dukaj për marrjen e detyrës dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin përpjekjet e ministrisë për përmirësimin e politikave publike në lidhje me zhvillimin e shërbimeve digjitale. “Qytetarët e Malit të Zi meritojnë shërbime publike cilësore dhe administratë publike inovative dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partnerë në zbatimin e këtyre proceseve reformuese,” tha ambasadorja. Ministri Dukaj falënderoi për partneritetin strategjik të SHBA-ve në fushën e dixhitalizimit të shërbimeve publike dhe e informoi ambasadoren Rajnke për prioritetet e Qeverisë së 43-të të Malit të Zi në drejtim të forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet dhe administratën publike. “Projektet kyçe në punën e Ministrisë së Administratës Publike janë të orientuara nga qytetarët dhe vizioni i dixhitalizimit dhe ne përpiqemi të krijojmë një administratë publike të orientuar drejt shërbimeve në nivel shtetëror dhe lokal, e cila karakterizohet nga rritja e besimit të qytetarëve në punën e saj”, tha Dukaj. Ambasadorja Rajnke dhe ministri Dukaj konkluduan se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera ndërshtetërore dhe se ka potenciale të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe aplikimin e përvojave, veçanërisht në procesin e reformës së administratës publike, dixhitalizimit dhe sigurisë së informacionit. Në takim veçanërisht u theksua nevoja për ndërmarrjen e aktiviteteve të nevojshme për t’i bërë plotësisht të aksesueshme për qytetarët e Malit të Zi shërbimet e pagesave elektronike përmes shërbimeve dhe platformave të besueshme ndërkombëtare.

SHARE