ABAZOVIQ: PROGRAMI “EVROPA TANI” MBETET NË FUQI, ËSHTË E LEHTË TË PROPAGANDOSH POPULIZËM

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se programi “Evropa tani” mbetet në fuqi, por shtoi se është e lehtë të propagandosh populizëm dhe shumë më vështirë të krijosh vlera të reja. Duke komentuar njoftimin e ministrit të Financave, Aleksandar Damjanoviq, për nevojën e mundshme për një ribalancim substancial të buxhetit gjatë muajit korrik, Abazoviq tha se kjo është një qasje e përgjegjshme që ka ministri i Financave. „Dua të them se është shumë e lehtë të propagandosh populizëm dhe të flasim se si do t’i shpenzojmë paratë, por është shumë më e vështirë të krijosh vlera të reja dhe të shpjegosh dhe të krijosh një situatë që ne të fitojmë para. Për të shpenzuar për ndonjë gjë, duhet të fitojmë para fillimisht. Qasja nuk ishte e pranishme më parë dhe më vjen mirë që Ministri i Financave dëshiron të shpjegojë situatën ashtu siç është. Thamë që do të mbetemi me programin “Evropa tani”, se do t’i servisim çdo gjë në kohë, që të ndodhë kjo duhet të ketë ekuilibra të qarta. Obligimet që nuk i kemi paguar në vitet e kaluara duhet të paguhen në një moment”, tha Abazoviq në Davos, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të RTMZ.

SHARE