MICHEL: SHQIPËRIA I KA PËRMBUSHUR KUSHTET PËR ÇELJEN E NEGOCIATAVE PËR ANËTARËSIM NË BE

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka deklaruar se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe sipas tij, bisedimet për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Këshillit Evropian, pas takimeve mes tyre mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, duke u fokusuar në disa çështje. Rama tha se në takimin me presidentin e Këshillit Evropian kanë folur në lidhje me bisedimet për anëtarësim në BE, ecurinë e marrëdhënieve rajonale, për nismën “Ballkani i Hapur”, procesin e reformave në Shqipëri, si dhe sfidat në raport me luftën në Ukrainë. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se ideja e anëtarit të asociuar të Bashkimit Evropian është një ide e cila po merr më shumë mbështetje. “E mbështes plotësisht vizionin e presidentit të Francës për këtë komunitet të ri që vjen sot edhe më shumë në rendin e ditës si pasojë e asaj që ndodh në Ukrainë. Pra një komunitet i ri politik evropian, ku jo vetëm vendet e Bashkimit Evropian si anëtarë, por edhe vende të tjera të jenë të përfshira”, u shpreh Rama. Michel tha se Shqipëria është pjesë e familjes evropiane dhe sipas tij, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe bisedat për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Michel theksoi se ai e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”, duke shtuar se “Uroj që të gjithë të bashkohen në këtë nismë, sepse do të jenë më të mëdha aftësitë për të bashkëpunuar dhe për të forcuar strukturat ekonomike”.

SHARE