MALI I ZI FUQIZON BASHKËPUNIMIN DHE BESIMIN ME KOSOVËN

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në Prishtinë me nderime të larta shtetërore presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë. Në një konferencë për media pas takimit të të dy presidentëve që zgjati më shumë se një orë, presidentja Osmani tha se populli i Kosovës e vlerëson shumë kontributin e Malit të Zi, si një nga fqinjët më përkrahës të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008. Osmani tha se vizita e presidentit Gjukanoviq është historike në aspektin e marrëdhënieve bilaterale, derisa tha se në takimin e tyre kanë diskutuar përkushtimin e palëkundur për paqe dhe stabilitet në rajon. Sipas saj, Kosova dhe Mali i Zi ndajnë një vizion të përbashkët e të qartë për të ardhmen euroatlantike, andaj me presidentin Gjukanoviq kanë rënë dakord që ta thellojnë bashkëpunimin për të siguruar konsolidim të përpjekjeve për të sjellë edhe më shumë stabilitet, paqe dhe zhvillim në rajon. “Sot natyrisht kam kërkuar edhe mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe po ashtu në organizata të tjera dhe siç e dini, me rëndësi të veçantë, sidomos në situatën aktuale të sigurisë në Evropë është NATO-ja, në veçanti për Kosovën Partneriteti për Paqe si hap i parë i anëtarësimit në NATO’’, theksoi Osmani, e cila shtoi se Mali i Zi është shembull se si anëtarësimi në NATO i saj ka shërbyer për më shumë stabilitet dhe siguri në tërë Ballkanin Perëndimor. Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se Kosova dhe Mali i Zi ndajnë rrugën e njëjtë, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai tha se në takim me presidenten Osmani janë pajtuar se orientimi i të dyja shteteve është sistemi i vlerave evropiane dhe anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte një investim i shkëlqyer gjeopolitik evropian, investim në paqe, stabilitet dhe zhvillim. “Besojmë se është koha që t’i ndalojmë dilemat kur është fjala për politikën e zgjerimit dhe bashkimit të të gjithë Evropës. Duhet t’i ndalojmë mesazhet disonante që vijnë nga adresa të ndryshme në Evropë. Ka ardhur koha që Evropa të përsërisë mesazhin e tyre origjinal që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE nëse këtë vend do ta zënë me shpejtësi me të cilën po i zbatojnë reformat dhe standardet’’, theksoi Gjukanoviq. Presidenti Gjukanoviq tha se Mali i Zi si një vend i cili ka qenë konsistent dhe i aftë që në mënyrë politike t’i zgjidh të gjitha çështjet e hapura me fqinjët e saj, mbështetë dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit dhe se vetëm ai mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të obligueshme në aspektin juridik që të ofrojë mundësi që Kosova të zhvillohet si një vend demokratik. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët e tij ka pritur në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq me bashkëpunëtorë, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Siç njofton Zyra për Informim e Kryetarit të Kuvendit, në këtë takim u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet në rajon, agresionin rus në Ukrainë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërparlamentare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

SHARE