QEVERIA DO TË JAPË MAKSIMUMIN NË PROGRESIN E MËTEJSHËM TË MALIT TË ZI DREJT BE-së

Besoj se kjo Qeveri do t’i arsyetojë pritjet dhe do të japë maksimumin e saj në përparimin e mëtejshëm të Malit të Zi në procesin e tij integrues, tha ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka gjatë takimit me Songul Ozan ambasadoren e Turqisë në Mal të Zi. “Ne po lëmë pas mosmarrëveshjet dhe grindjet dhe po ecim përpara, po merremi me çështje jetike për përparimin e Malit të Zi në të gjitha fushat, në rrethanat e dhëna, për hir të të gjithë qytetarëve tanë në mënyrë të barabartë”, shtoi Gjeka. Në takim u theksua se Mali i Zi dhe Turqia trashëgojnë shumë vlera të përbashkëta. Sipas  Ozan, Turqia theksin e vë në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik me Malin e Zi, në mënyrë që hyrja e Malit të Zi, si treg i vogël në Bashkimin Evropian, të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e investitorëve të interesuar për të investuar. Gjithashtu, ambasadorja e Turqisë e sheh të ardhmen e Malit të Zi në fushën e turizmit dhe beson se vëmendja duhet të drejtohet në atë drejtim, thuhet në deklaratë. Siç thanë ata, ministri Gjeka falënderoi për vizitën dhe mundësinë për të shkëmbyer mendime për mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, me theks të veçantë ndërkulturor. Bashkëbiseduesit ranë dakord që në të ardhmen e afërt të shkëmbejnë propozime për bashkëpunim të ardhshëm.

SHARE