DUKAJ PRITI NË TAKIM AMBASADORIN E REPUBLIKËS SË FRANCËS, KRISTIJAN TIMONIJE

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Francës, Kristijan Timonije, njoftuan nga Kabineti i tij. “Mali i Zi dhe Franca janë të lidhura me marrëdhënie tradicionalisht të mira politike dhe dypalëshe dhe vazhdon bashkëpunimi në të gjitha fushat. Ne mbështesim fuqishëm Malin e Zi në rrugën e tij evropiane në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori Timonije. Dukaj theksoi se përvoja e Francës, si anëtare e BE-së, është e një rëndësie të madhe për Malin e Zi në fushën e reformës së administratës publike dhe dixhitalizimit, ndaj e njohu ambasadorin me prioritetet në punën e ardhshme të Ministrisë së Administratës Publike dhe aktivitete në procesin e dixhitalizimit dhe reformës së administratës publike si dhe vendosjen e një administrate publike moderne dhe efikase në Mal të Zi. Ministri Dukaj tha se në periudhën e ardhshme vëmendje e veçantë do t’i kushtohet decentralizimit të vetëqeverisjes lokale. Ai përshëndeti iniciativën për krijimin e një Qendre Rajonale të Trajnimit të Sigurisë Kibernetike në Mal të Zi. “Nëse drejtuesit e projektit vendosin që selinë e qendrës ta kenë në Mal të Zi, ata do të kenë një partner të besueshëm dhe të përkushtuar tek ne dhe arsimi në këtë fushë do të kontribuojë në forcimin e burimeve njerëzore në përgjigje të krimit kibernetik”, tha Dukaj. “Mali i Zi mund të jetë një partner i besueshëm në krijimin e një qendre,” tha Timonije, duke shtuar se Qendra Rajonale e Trajnimit të Sigurisë Kibernetike synon të ndërtojë kapacitete në luftën kundër krimit kibernetik nëpërmjet krijimit të një programi arsimor që do t’i përgjigjet sfidave në hapësirën kibernetike në nivel rajonal. Në takim u bisedua mbi modalitetet e përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e reformës së administratës publike, veçanërisht transformimin dixhital dhe profesionalizimin e administratës publike dhe vazhdimin e bashkëpunimit me Shkollën Franceze të Administratës Publike (ENA) në forcimin e kapaciteteve administrative të Malit të Zi, transferimin e njohurive dhe aftësive në administratën publike.

SHARE