PARLAMENTI I FINLANDËS MBËSHTET APLIKIMIN PËR ANËTARËSIM NË NATO

Parlamenti i Finlandës ka mbështetur aplikimin për anëtarësim në NATO, duke hequr dorë nga neutraliteti pas shtatë dekadash. Ligjvënësit më 17 maj votuan në favor të propozimit të prezantuar nga presidenti i këtij shteti, Sauli Niinisto, dhe kryeministrja, Sanna Marin. Votimi me 188 vota për dhe 8 kundër në Parlamentin finlandez erdhi disa orë pasi shteti fqinj, Suedia, zyrtarisht bëri kërkesë për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore. Votimi në Parlament u pa si formalitet edhe pse nuk kërkohej mbështetja e ligjvënësve, por Niniisto dhe Marin kishin argumentuar se ishte e nevojshme që Parlamenti të merrte pjesë në këtë vendim “historik”. Hapat e ndërmarrë nga Finlanda dhe Suedia janë si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, teksa Moska ka paralajmëruar se po vëzhgon me kujdes këto zhvillime dhe se do të kundërpërgjigjet. Finlanda pritet që pas këtij vendimi të Parlamentit, të veprojë sikurse Suedia, dhe të aplikojë në aleancën e NATO-s, që aktualisht ka 30 anëtarë.

SHARE