GJELOSHAJ: SË SHPEJTI FILLOJNË ME PUNË TRI FABRIKA NË MALËSI

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj deklaroi se përgatitjet për fillimin e punës së tri fabrikave në Malësi vijojnë me të shpejtë. Në një prononcim për CDM, Gjeloshaj ka bërë të ditur se në qershor do të vihet në punë fabrika e çipsit. Ai ka bërë të ditur se deri në fund të këtij muaji do të hapet fabrika e përpunimit të pemëve dhe perimeve, ndërsa në gusht ose shtator fabrika e vajit të lulediellit. Këto janë tri projekte jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e Komunës së Tuzit. Fjala është për investime milionëshe, tha Gjeloshaj. “Plani është që kur të punojnë me kapacitet të plotë, të punësohen deri në 250 punëtorë”, tha Gjeloshaj. Kryetari i Komunës së Tuzit tha se kanë hyrë në fazën finale të punimeve, ku kanë nevojë për mbështetjen e Qeverisë. „Qeveria e re ka prioritet zhvillimin ekonomik dhe shumë shpejt bashkë me Kryeministrin Abazoviq dhe kabinetin e tij do t’i vizitojmë këto fabrika, për të treguar mbështetjen e fuqishme, jo vetëm të komunës por edhe të Qeverisë, për zhvillim ekonomik,“ tha Gjeloshaj.

SHARE