Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet një mbledhjeje elektronike ka miratuar sot në parim Nismën për anëtarësimin e vendit në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe” me seli në Strasburg të Francës. Kështu ka bërë të ditur njoftimi i Qeverisë pas mbledhjes, ku shkruan se vendimi i ekzekutivit obligon tani Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi. Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj. Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hap nga 16 marsi i këtij viti kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, i japin shtetit të Ballkanit Perëndimor mundësi reale për anëtarësim. Mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës e ka përmendur këtë javë në Bruksel edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili tha se një gjë e tillë do të ketë kundërpërgjigje politike nga ana e Serbisë.