KUVENDI I SHQIPËRISË RRËZON KËRKESËN PËR REZOLUTË NË LIDHJE ME GJENOCIDIN NË SREBRENICË

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e disa deputetëve të opozitës për realizimin në seancë parlamentare të një mocioni me debat dhe finalizimin e një rezolute në lidhje me “Njohjen dhe dënimin e gjenocidit në Srebrenicë”. Konferenca e Kryetarëve e Kuvendit të Shqipërisë për shkak të mosarritjes së dakordësisë për kalimin në seancë të kërkesës në fjalë vendosi ta kalojë në votim kërkesën në seancën e sotme plenare, e cila u rrëzua nga deputetët. Gjatë fjalës në seancë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se “Nisma e deputetëve të Partisë Demokratike për të dënuar gjenocidin serb në Bosnjë është një nismë e cila synon nderimin e 8 mijë viktimave të Srebrenicës”. Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, tha se Shqipëria e ka dënuar, e dënon dhe do ta dënojë përjetësisht gjenocidin në Srebrenicë. Balla shtoi se Shqipëria “ka mbështetur dhe përshëndetur të gjitha dënimet shembullore të Gjykatës së Hagës përkundrejt të gjithë urdhëruesve dhe organizatorëve të kësaj tragjedie”. Kërkesa për mocion me debat të finalizuar me rezolutë mbi njohjen dhe dënimin e gjenocidit në Srebrenicë e nënshkruar nga disa deputetë të partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Demokratike të Shqipërisë, u dorëzua në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë disa ditë më parë. Rrëzimi i kërkesës ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime të deputetëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

SHARE