Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2022, i publikuar në raportin e Reporterëve pa Kufij, Mali i Zi renditet i 63-ti dhe ka avancuar 41 vende në krahasim me vitin 2021. Në raport theksohet se është ende në kategorinë e vendeve problematike.
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq apeloi për detyrimin për mbrojtjen e gazetarëve, por edhe të gazetarisë. Ai tha se vetëm gazetaria e besueshme mund ta përmbushë qëllimin fisnik për kërkimin e së vërtetës, edukimin dhe mbrojtjen e të rrezikuarve. Duke i drejtuar aktivitetet për të luftuar dezinformimin, ne duhet, siç tha ai, të promovojmë dhe mbrojmë lirinë e fjalës gjithmonë dhe kudo.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka uruar 3 majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, duke thënë se kushtet në të cilat punonjësit e medias kryejnë punën e tyre sot janë pasojë e një problemi sistemik për të cilin Departamenti i Shtetit dhe Komisioni Evropian kanë paralajmëruar në raportet e tyre. Kryeministri vuri në dukje se nevojitet një mbështetje shumë më serioze institucionale në zgjidhjen e problemeve dhe nevojave të gazetarëve, fotoreporterëve, kameramanëve, si dhe të gjithë punonjësve të tjerë në media.