DONFRIED, MESAZHE TË QARTA PËR DIALOGUN, MBËSHTETJE E “PAEPUR” EDHE PËR SHQIPËRINË

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, e cila shoqërohej edhe nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dha një mesazh të qartë gjatë vizitës në Prishtinë. “Status-quoja është e paqëndrueshme”, prandaj Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen me urgjencë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, tha zyrtarja e lartë amerikane, e cila e nisi turin ballkanik me vizitën në Kosovë. Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor. Sipas Donfried paqëndrueshmëria e status-quos ndërlidhet me synimet e Rusisë në Ballkan. Rusia “dëshiron që të sigurohet që shtetet fqinje të Ballkanit të mos integrohen në institucionet evropiane dhe euroatlantike”. “Ajo {Rusia} beson se një Ballkan më i fuqishëm, më me prosperitet e demokratik, do të jetë kërcënim për influencën e saj. Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit për ta destabilizuar rajonin është e thjeshtë, Kosova e Serbia duhet të bëhen bashkë e në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që ka një mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja”, tha Donfried, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Zyrtarja e lartë amerikane sot viziton Serbinë, ku do ta nxisë lidershipin vendas të avancojë me reformat për integrimin e tij europian, të ndikojë për rritjen e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal si dhe do të diskutojë zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe të sigurisë dhe ato ekonomike. Në 28 prill ajo do të përkujtojë 100 vjet të marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe do të falënderojë Shqipërinë për partneritetin tonë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për angazhimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përballë agresionit rus, e do të nënvizojë gjithashtu mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin ekonomik rajonal, si dhe do të theksojë nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin.

SHARE