POLICIA E KOSOVËS SULMOHET SËRISH NË VERI

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të martën, 26 prill, se në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare e saj në Zupçe të Zubin Potokut. Sipas saj, përveç dëmeve materiale në automjet, nuk ka raportime për zyrtarë policorë të lënduar. Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe. Zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sulmi ka ndodhur në rrugën kryesore në fshatin Zupçe, në afërsi të kopshtit të fëmijëve dhe dyshohet se vetura zyrtare e policisë kufitare është qëlluar me armë zjarri. Në ora 11:28, Njësia e Forenzikës Ligjore nga Prishtina, si dhe Njësia për Terrorizëm, kanë inspektuar vendin në fshatin Zupçe, ka konfirmuar Radoviq. Patrulla e Policisë së Zubin Potokut është duke punuar në rregullimin e normalizimit të komunikacionit në rrugën kryesore. Njësitet nga Prishtina janë tërhequr nga vendi i ngjarjes rreth orës 12:30.

SHARE