“SHQIPËRIA MIKPRET BOTËN”, KA NISUR SOT CIKLI I JAVËVE NDËRKOMBËTARE TË KULTURËS ME DISA AKTIVITETE

Me titullin “Shqipëria mikpret botën” ka nisur sot cikli i Javëve Ndërkombëtare të Kulturës me disa aktivitete në disa qytete të vendeve. Në një konferencë së bashku me Ministren e Kulturës Elva Margariti, Kryeministri Edi Rama tha se synimi është që kjo të kthehet në një traditë të përvitshme. “Këtë javë ne synojmë të jetë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, kultura të ndryshme, për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera, por dhe argëtimit të qytetarëve apo edhe të vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë”, tha Rama. “Si viti i parë që nis ky program, është i gjithi në një fazë nisjeje që do të pasurohet në vitet e ardhshme, është një eksperiencë e re prej së cilës do të mësojmë e do të kuptojmë më shumë”, shtoi kryeministri. Rama theksoi se kjo është një mundësi për të shpalosur tradita e kultura të ndryshme, ndërkohë që kjo javë do të jetë e Francës, për të vijuar më pas edhe me vendet e tjera. Javët kulturore ndërkombëtare do të sjellin për 17 javë në vendin tone një larmishmëri kulturash nga vende të ndryshme të botës, duke filluar me javën e Francës e për ta përfunduar me Kosovën.

SHARE