Samiti në Londër, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm, duhet të rezultojë në marrëveshje konkrete që synojnë forcimin e bashkëpunimit rajonal në disa segmente dhe sigurimin e tejkalimit të sfidave politike që pengojnë përparimin e rajonit, vlerësoi nënkryetari i Kuvendit të MZ, Branimir Gvozdenoviq.
Ai në Londër, gjatë konferencës për Ballkanin Perëndimor, tha se puna mbi zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë nuk çoi automatikisht në përmirësimin e bashkëpunimit në rajon në fushën e sigurisë, sundimit të ligjit, zgjidhjes së çështjeve bilaterale dhe çështjeve të pajtimit, të cilat paraqesin problemet themelore të rajonit.
“Prandaj është e rëndësishme që Samiti i Londrës të sjellë marrëveshje konkrete që do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal në këto segmente dhe do të sigurojë që sfidat politike që pengojnë përparimin e rajonit të tejkalohen”, tha Gvozdenoviq në Dhomën e Lordëve në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.
Siç është kumtuar nga kabineti i Gvozdenoviq, Konferenca, është mbajtur në prag të takimit të Samitit të Bashkimit Evropian dhe Samitit të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Londër më 9 dhe 10 korrik.
“Duke pasur parasysh se Mali i Zi , njihet si një vend me marrëdhënie shumë të mira fqinjësore dhe se nuk kemi çështje të hapura bilaterale me fqinjët, është në interesin tonë që financimet e projekteve të infrastrukturës të mbesin në fokus edhe në samitin e Londrës dhe të definohen fonde të reja”, deklaroi Gvozdenoviq.