REZOLUTË PËR SHQIPËRINË NGA BRUKSELI/‘DETYRA SHTËPIE’ PËR QEVERINË MBI NEGOCIATAT

Parlamenti Europian diskutoi një rezolutë tjetër ku i bëhet thirrje vendeve anëtare të Këshillit Europian, për të hapur sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në raportin e përgatitur nga Raporterja për Shqipërinë në PE, eurodeputetja Isabel Santos, theksohet se vonesa e negociatave po dëmton reputacionin e Bashkimit Europian, si një partner i besueshëm në Ballkan. Por megjithatë, Parlamenti Europian ka dhënë disa detyra shtëpie për qeverinë shqiptare, duke shprehur kritika për ndryshimet kushtetuese të ligjit zgjedhor dhe duke bërë thirrje për më shumë demokraci brenda partive politike. Parlamenti kujton se anëtarësimi përfundimtar i Shqipërisë në BE varet nga reforma të thella dhe të pakthyeshme në fusha themelore, si ajo në drejtësi, që garanton funksionin e shtetit të së drejtës dhe funksionimim e institucioneve demokratike. Rezoluta thekson se qeveria shqiptare duhet t’i marrë më seriozisht përgatitjet administrative për negociatat e ardhshme të anëtarësimit përmes krijimit të strukturave qeveritare efikase për të koordinuar çështjet e integrimit në BE. Parlamenti Europian rikujton edhe nevojën për të adresuar mangësitë e mbetura zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, duke përmirësuar më tej aksesin dhe integritetin e zgjedhjeve, duke parandaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe blerjen e votave.

SHARE