KURTI TAKON PËRFAQËSUESIT POLITIKË TË SHQIPTARËVE TË PRESHEVËS, MEDVEGJËS DHE BUJANOCIT

I shqetësuar me pasivizimin e mbi 6000 adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat e banuara me shumicë shqiptare në Serbi, Preshevë Medvegjë dhe Bujanovc, Kryeministri Albin Kurti ka pritur përfaqësuesit shqiptar të këtyre komunave në zyrën e tij në Prishtinë. Kryeministri Kurti ka vlerësuar se ky veprim e Serbisë është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. “Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratik. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore”, citohet Kryeministri në komunikatën për media. Gjatë këtij takimi ku ishin edhe kryetarët e tri komunave shqiptare në Serbi u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht në këto tri komuna. Për Kurtin gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Ftoi faktorin politik atje të ndalojnë acarimet e shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Sipas tij përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen në dëm të shqiptarëve duke shtuar se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës.

SHARE