MACRON DHE LE PEN, NË RAUNDIN E DYTË

Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron, dhe kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve më 24 prill, sipas sondazheve të para. Të dielën, francezët votuan në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku garuan 12 kandidatë. Sipas sondazheve të para pas mbylljes së vendvotimeve, Macron ka marr 28.1 për qind të votave, ndërsa Le Pen 23.3. Në zgjedhje të drejtë vote kanë pasur 48.7 milionë votues. Presidenti i ri do të ketë fuqinë që të formësojë Francën dhe rolin e saj kyç në Evropë në pesë vjetët e ardhshëm. Edhe pse zgjedhjet janë lënë në hije nga lufta e Rusisë në Ukrainë, për shumicën e votuesve, çështja kryesore në këto zgjedhje është kostoja e jetesës. Macron dhe Le Pen kanë pikëpamje shumë të ndryshme sa i përket politikës së jashtme dhe qasjes ndaj Rusisë, por edhe Bashkimit Evropian. Po ashtu ata kanë edhe pikëpamje të ndryshme lidhur me financat publike apo për investitorët e huaj. Një fitore e Macronit do të thoshte një vazhdimësi për Francën, ndërkaq një fitore e Le Pen do të nënkuptonte ndryshime të mëdha. Tani që Britania është larguar nga BE-ja, Franca është fuqia kryesore ushtarake e bllokut. Po ashtu, është ekonomia e dytë më e madhe, dhe largimi nga politika e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë Macronit një rol më të rëndësishëm në Evropë. Një fitore e Le Pen do ta përplaste Francën me partnerët e BE-së.

SHARE