ANGAZHIMI I KOMUNËS SË TUZIT NË PROCESIN E EMANCIPIMIT DHE SOCIALIZIMIT TË ROMËVE DUHET TË JETË OBLIGIM NJERËZOR DHE QYTETAR

8 prilli, Dita Ndërkombëtare Rome, festohet prej komunitetit rom në të gjithë botën për të përkujtuar Kongresin e Parë Botëror Rom më 1971 kur romët filluan ngritjen si një komb, duke shprehur vetëvendosjen e tyre dhe dëshirën për njohjen sociale dhe politike. Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, përmes rrjetit social Facebook përkujtoi Ditën Ndërkombëtare të Romëve duke qenë se pjesëtarë të kësaj popullate ka edhe në komunën e Tuzit. „Ne e vlerësojmë se të jemi ndryshe nga të tjerët nuk guxon të jetë handikap, por një fakt të tillë duhet ta pranojmë si përparësi. Angazhimi ynë si komunë në procesin e emancipimit dhe socializimit të romëve duhet të jetë obligim njerëzor dhe qytetar, sepse vetëm ashtu do të bëhen pjesë e pandarë e shoqërisë sonë,“ shkruan Gjeloshaj. „Ne si komunë dhe unë si kryetar do të mbështesim çdo nismë që mund të vijë nga ana e tyre, dhe jo vetëm, që do të çonte në drejtim të përmirësimit të kushteve të tyre jetësore, ekonomike. Bashkëqytetarë të dashur të komunitetit rom, Urime për festën tuaj. Të jeni të bindur se kjo është edhe komuna e juaj, si e të gjithë të tjerëve, pavarësisht nga numri dhe veçantitë e çfarëdoshme që na pasurojnë,“ theksoi Gjeloshaj.

SHARE