UKRAINA: MBI 30 NJERËZ TË VDEKUR PAS SULMIT ME RAKETË NË NJË STACION TRENI

Tridhjetenëntë persona janë vrarë dhe mbi 100 janë plagosur pasi raketat ruse goditën një stacion të trenit në lindje të Ukrainës më 8 prill. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte sulm i qëllimshëm ndaj civilëve. Kompania shtetërore e hekurudhave në Ukrainë, ka thënë se dy raketa ruse goditën stacionin në Kramatorsk, që përdorej për evakuimin e civilëve nga zonat që janë nën sulme të vazhdueshme ruse.”Duke pasur mungesë të forcës dhe kurajës për t’u përballur me ne një fushëbetejë, ata po shkatërrojnë popullsinë civile”, tha Zelensky përmes një deklarate. Gjatë një video-adresimi në Parlamentin e Finlandës, Zelensky tha se asnjë ushtar ukrainas nuk ishte në stacion në kohën e sulmit. Fillimisht, autoritetet raportuan për 30 viktima, por më pas kjo shifër u rrit në 39. Në mesin e viktimave janë edhe katër fëmijë, konfirmuan zyrtarët ukrainas. Këtë lajm e konfirmoi edhe Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Donjeckut. Kryetari i Kramatorskit, Oleksandr Honcharenko, tha se afër 4,000 persona ishin në stacion në kohën e sulmit. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka mohuar se qëndron pas këtij sulmi. Kramatorsk është njohur si një prej rrugëve kyçe për evakuim nga lindja e Ukrainës.

SHARE