BORRELL NË TIRANË: TË RIJETËSOHET PROCESI I INTEGRIMIT TË BALLKANIT

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka ardhur koha të rijetësohet procesi i zgjerimit dhe Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e pakthyeshme e Bashkimit Evropian. “Të qenët të bashkuar është më e rëndësishme se kurrë. Ka ardhur koha që të rigjallërohet procesi i zgjerimit. E di që këtë ndoshta e keni dëgjuar edhe herë të tjera në të shkuarën. Ju vetë (Ramës) keni thënë se na duhen vepra e jo fjalë”, tha Borrell në një konferencë për media më kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Ai vlerësoi rreshtimin e Shqipërisë me vendet tjera të BE-së, duke thënë se “Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin dhe përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare”. “Shqipëria e ka treguar qartë se është një nga partnerët më të besueshëm të Bashkimit Evropian dhe në botë. Politikat e Shqipërisë janë 100 për qind në përputhje me politikën e përbashkët të BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë. Edhe para luftës, edhe në këto kohë sprove Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin dhe përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare”, u shpreh Borrell. Kryeministri Rama, në anën tjetër, përsëriti nevojën për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim, porse tregoi skepticizëm për këtë proces. “Sa më shpejt ta bëjnë, aq më shumë është në nderin e tyre, sepse po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos i mbajtur premtimet, por ne tashmë e kuptojmë që kjo nuk është çështje vullneti të përbashkët të Këshillit Evropian, por është çështje e një bllokimi mes dy vendeve tjera [Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë]”, u shpreh Rama. Ai, ndër tjerash, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që Ballkani Perëndimor mos të mbetet jashtë planit për përballim të krizës ekonomike. Borrell dhe Rama thanë se kanë diskutuar mbi shqetësimin që është krijuar nga lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat e saj që janë shfaqur në Evropë, sidomos në formën e rritjes së çmimeve.

SHARE