KOSOVA DO TA SHQYRTOJË MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE NËSE SERBIA I DËRGON KËRKESË

Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës, tha të hënën shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. “Përgjigja e institucioneve të Kosovës, tashmë e konfirmuar edhe në nivel të legjislativit, është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merrej vendimi për apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ajo shtoi se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga Serbia drejtuar institucioneve të Kosovës. Sipas saj, Beogradi i është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, por Kusari-Lila tha se “në Kosovë autoriteti sovran është Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës”. Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 3 prill. Ndërkaq, partitë opozitare në Kosovës thanë se presin një koordinim më të mirë mes pushtetit dhe opozitës për këtë temë.

SHARE