KOSOVË, SUBVENCION PËR BUJQIT / QEVERIA VENDIM PËR NAFTËN PËR TË GJITHA KULTURAT

Ka vazhduar rritja e çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë. Këtë të mërkurë, çmimi i vajit ka shkuar deri ne dy euro, nga 1.20 sa ishte dy ditë më parë. Përveç kësaj, Kosova po përballet edhe me mungesa të miellit sidomos nëpër dyqane. Megjithatë, sipas Shoqatës së Mullisëve të Kosovë, ka rezerva edhe për tre muaj të tjerë, e çmimi nuk dihet nëse do të ndryshojë. “Kemi arsyeshëm dhe mjaftueshëm miell dhe grurë në Kosovë, kjo nuk nënkupton që pas qershorit nuk do të bëjmë një zgjidhje tjetër apo që nuk ka zgjidhje deri atëherë”, thotë kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu. Lidhur me situatën e krijuar, Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 milionë euro subvencion për bujqit. “Do të subvencionohen imputet e plehërimit pranveror në vlerë prej 150 euro për hektarë për grurin ndërkaq 100 euro për hektarë për misrin, fasulen dhe pataten”, u shpreh ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Bujqit do të subvencionohen edhe për naftën. “Qeveria e Republikës së Kosovës do të subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej pesë milionë euro. Andaj prej 36 centë për litër do të subvencionohet nafta për të gjitha kulturat”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kriza e krijuar dhe ndalimi i eksportit nga vendet prej të cilave Kosova importon më së shumti do çojnë edhe deri te rritjet e çmimeve të produkteve tjera. “Mund të ketë tek ushqimi i kafshëve që do të ndikonte tek bujqit, mund të ketë te çmimi i gazit, mund të ketë ndikim dhe luhatje të çmimit të metaleve”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës. Aktualisht në Kosovë çmimi i naftës ka arritur në 1.82 centë, buka shitet për 50 centë dhe pritet të ndryshojë edhe çmimi i miellit.

SHARE