KUVENDI I SHQIPËRISË MIRATON REZOLUTËN PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT TË UKRAINËS

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën për “mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane”. Sipas rezolutës që u miratua me 123 vota pro të deputetëve, Kuvendi i Shqipërisë dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se “aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”. Më tej theksohet se Kuvendi i Shqipërisë bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata Ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Kuvendi i kërkon Qeverisë së Shqipërisë të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si “mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.”

SHARE