PS FITON 5 BASHKI, “BERISHA” KRYESON NË SHKODËR

Zgjedhjet e pjesshme vendore të mbajtura në 6 bashki të vendit ditën e dielë do t’i japin kandidatëve fitues një vit qëndrimi në postin e kryetarit të Bashkisë, derisa të mbahen zgjedhjet e tjera vendore në rang vendi. Nga rezultatet paraprake, PS ka fituar në 5 bashki: Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë e Dibër. Në këto zgjedhje, PS ishte përballë dy forcave opozitare, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, në të cilën u përfshi dhe Sali Berisha, por KQZ vendosi të lërë jashtë zgjedhjeve PD-Komisioni i Rithemelimit duke lënë si subjekt zgjedhor vetëm koalicionin LSI e PDK, por pa përjashtuar kandidatët e prezantuar nga ish kryeministri. Deri tani, e vetmja bashki ku PD renditet e dyta është Rrogozhina ndërsa në të tjerat, kandidatët e Shtëpisë së Lirisë pozicionohen në vendin e dytë. Në të gjashta bashkitë, shifrat e pjesëmarrësve janë më të ulëta krahasuar me ato të një viti më parë, në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit. Votimi u zhvillua normalisht, me përjashtim të disa qendrave, kryesisht në Shkodër, ku nuk u bë i mundur votimi për shkak të motit të keq me dëborë. Procesi i votimit në zgjedhjet e 6 marsit u shoqërua nga një klimë e qetë politike, ndërsa nuk munguan thirrjet ndaj qytetarëve për të marrë pjesë në votime.

SHARE