KOSOVA PARALAJMËRON STREHIMIN E FAMILJARËVE TË USHTARËVE UKRAINAS TË KFOR-it

Kosova së shpejti do të pezullojë regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës dhe do të krijojë kushte për strehimin e familjarëve të ushtarëve të Ukrainës, të cilët janë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Kështu bëri të ditur ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, gjatë një raportimi para Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë. “Qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë, do të detyrohen të paraqiten tek organet kompetente me qëllim që të marrin leje qëndrim”, tha Gërvalla. Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndërmjet dy shteteve ekziston regjimi i vizave. Ministrja Gërvalla tha se do të krijojnë kushte për të gjithë familjarët e ushtarëve ukrainas në Kosovë, të cilët dëshirojnë të sjellin familjen në Kosovë. Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it shërbejnë 40 ushtarë ukrainas. Gërvalla, po ashtu, bëri të ditur se brenda kësaj jave, do të dorëzojë kërkesën në Qeverinë e Kosovës për marrjen e masave konkrete për pranimin e 5,000 refugjatëve nga Ukraina.

SHARE