Çmimet e naftës u rritën në nivelin më të lartë që nga viti 2008, pasi SHBA-ja tha se po diskuton me aleatët për embargo të mundshme mbi furnizimet ruse. Nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si standard ndërkombëtar, shkoi në mbi 139 dollarë për fuçi, përpara se të binte sërish nën 130 dollarë. Tregjet e energjisë janë tronditur ditëve të fundit, për shkak të frikës për furnizime, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën se administrata amerikane po shqyrton embargon mbi furnizimet ruse me naftë. Pas tij, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, tha se Dhoma po “eksploron” legjislacionin për ndalimin e importit të naftës ruse, që, sipas saj, do ta izolonte edhe më shumë Rusinë nga ekonomia globale.