Komisioni Evropian ka bërë publike sot një paketë të konsiderueshme investimesh prej 3.2 miliardë euro për të mbështetur 21 projekte në Ballkanin Perëndimor.Investimet parashikohen në sektorët e transportit, digjitalizimit, klimës dhe ndërlidhjes së energjisë në rajon. Sipas një njoftimi për shtyp të Ambasadës së Bashkimit Evropian në Tiranë, investimet konsiderohen si paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të planit ambicioz ekonomik të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, e miratuar nga Komisioni në tetor 2020. Projektet janë krijuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë vender e rajonit. “Me këtë paketë të madhe investimesh ne po përshpejtojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në terren”, ka thënë Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi. “Ne i kemi identifikuar këto projekte të mëdha në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ndërlidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, në infrastrukturën digjitale dhe në energjinë e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të çojnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një numër mundësish për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë gjithashtu integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”, ka shtuar Varhelyi. Gjatë viteve të ardhshme, paketa parashikon të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, kredive preferenciale dhe garancive. Sipas njoftimit të ambasadës, plani do të ndihmojë në mbylljen e hendekut të zhvillimit mes BE-së dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani do të ndihmojë gjithashtu për zbatimin e strategjisë më të gjerë të BE-së “Global Gateway”, që nisi në dhjetor 2021.