QEVERIA NUK LËVIZ NGA NDALESA PËR MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE TË SERBISË NË KOSOVË

Qeveria e Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin e saj në lidhje me ndalesën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se kjo çështje është rregulluar me ligjet e vendit. “Konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por edhe legjislacioni në fuqi”, tha ajo në një konferencë për media më 23 shkurt Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill. Autoritetet e Serbisë kanë thënë se në dialogun Kosovë-Serbi do të kërkojnë që të lejohet edhe votimi në territorin e Kosovës në zgjedhjet e Serbisë. Megjithatë, në takimin e delegacionit të Kosovës me të dërguarin e posaçëm Miroslav Lajçak më 22 shkurt nuk është folur për këtë temë. Ministrja Haxhiu ka rikujtuar se Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës janë në linjë të njëjtë sa i përket kësaj çështjeje. Sipas Qeverisë së Kosovës, qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësi të Serbisë do të mund të votojnë në zgjedhjet e Serbisë “në zyrën ndërlidhëse në Kosovë apo me postë”.

SHARE