Pas deklaratës së Kremlinit se presidenti Putin ka vendosur të njohë pavarësinë e dy zonave të shkëputura të Ukrainës të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, ka reaguar Ministrja për Punët e Jashtme të Shqipërisë. Në postimin zyrtar në Twitter, Olta Xhaçka shkruan se “Shqipëria e dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia, si një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar’. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në Kuvend se Qeveria e Kosovës mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën një numër deputetësh kërkuan që Qeveria të ketë vëmendje mbi zhvillimet në Ukrainë, kryeministri Kurti tha se Kosova do të jetë gjithmonë “e bashkërenduar me Bashkimin Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe NATO-n”. Përpos kryeministrit Kurti, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka reaguar në rrjetet sociale, duke thënë se presidenti rus Putin ka bërë dhe po bën luftëra kundër demokracisë në Evropë. Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit midis Ukrainës dhe Rusisë. Përmes një postimi në Twitter, Osmani dënon fuqishëm veprimin e Rusisë për njohjen e zonave ukrainase, duke shprehur mbështetje për Ukrainën.