GJERMANIA BLLOKON NORD STREAM 2: PEZULLOHET CERTIFIKIMI I PROJEKTIT TË GAZIT RUS

Vendimi i Moskës për të mbështetur pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut, duket se mbushi edhe kupën e durimit të Gjermanisë. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka urdhëruar ministrine e ekonomise te bllokoje procesin e certifikimit të gazsjellësit “Nord Stream II”, pavarësisht rëndësisë së madhe që ky projekt ka për vendin e tij. “Vendimi tingëllon si teknik, por është një hap i nevojshëm administrativ, në mënyrë që të mos ndodhë certifikimi i tubacionit. Pa këtë certifikim ‘Nord Stream II’ nuk mund të hyjë në funksion”, u tha Scholz gazetarëve në Berlin. Putin më herët i kërkoi ministrit të Mbrojtjes, Sergey Shoygu që të “siguronte paqen, sic e paraqiti ai, në rajonet separatiste në Lindje të Ukrainës. Frika tani është se kjo mund të përdoret si pretekst për një sulm më të gjerë të Moskës mbi vendin fqinj, në kufirin me të cilin me dhjetëra mijëra trupa ruse presin vetëm një shenjë nga Kremlini për të nisur mësymjen. Punimet për ndërtimin e Nord Stream 2 nisën në maj 2018 dhe përfunduan shtatorin e vitit të kaluar. Me anë të gazsjellësit 1200 kilometra të gjatë, i cili përbëhet nga dy tubacione, Gjermania pritet të merrte nga Rusia më shumë gaz se deri tani. Por, tashmë është e paqartë se kur në këto tubacione, do të rrjedhë gaz vertet.

SHARE