Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po realizon një vizitë në SHBA, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë amerikanë dhe të Kombeve të Bashkuara (OKB). Gjatë ditës së sotme, kryeministri Rama është takuar në Washington me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të cilët kanë biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve. Sipas njoftimit nga Qeveria e Shqipërisë, kryediplomati amerikan gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen ndaj Shqipërisë për strehimin e shtetasve afganë. Ai shtoi se dy vendet “janë ulur krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Kryeministri Rama ka theksuar se e vlerësojnë miqësinë dhe marrëdhënien me SHBA-në “si gjënë më të vyer”. Në kuadër të vizitës, kryeministri Rama mori pjesë në pritjen e organizuar në New York, me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për periudhën 2022-2023. Gjithashtu Rama është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije nga SHBA se Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit në Bashkimin Europian nëse nuk mbahet konferenca e parë ndërqeveritare pas zgjedhjeve presidenciale në Francë. Rama tha se nuk ka kuptim që Shqipëria të presë në pafundësi që Bullgaria të lirojë ‘pengun’, Maqedoninë e Veriut, në një kohë kur i ka kryer detyrat.