NDIHMA E SHPEJTË NË TUZ ME AUTOAMBULANCË TË RE

Sot, në ambientet e ndërtesës së Komunës së Tuzit u bë pranim-dorëzimi i automjetit të ambulancës, donacion i Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Mal të Zi për Komunën e Tuzit. Të pranishëm në ceremoninë e pranim-dorëzimit të automjetit ishin Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Mal të Zi, Shkëlqesia e tij Liu Gjin, ministrja e shëndetësisë, Jelena Boroviniq-Bojoviq, drejtori i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore të Podgoricës, Vuk Nikoviq si dhe drejtuesi i njësisë organizative për situata të jashtëzakonshme në Tuz, z. Behar Axhoviq. Gjeloshaj falënderoi Republikën popullore të Kinës për këtë donacion të veçantë i cili do t’i shërbejë Ndihmës së Shpejtë Mjekësore të Tuzit dhe qytetarëve, duke rritur cilësinë e shërbimit, donacion i cili, siç theksoi ai, nuk është i pari që komunës së Tuzit i vjen nga ky shtet, pasi që vite më parë komuna jonë fitoi donacion nga po ky shtet – automjetin për shpërndarjen e ujit, i cili përdoret edhe sot për furnizimin e zonave rurale. Teksa përgëzoi kryetarin Gjeloshaj për punën dhe mënyrën e organizimit të Komunës, ambasadori Gjin theksoi se automjeti është dhuruar në shenjë falënderimi për kujdesin e vazhdueshëm që Komuna ka edhe ndaj qytetarëve Kinezë që jetojnë në komunën e Tuzit e sidomos në kohën e karantinës dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërinstitucional do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ministrja ceku bashkëpunimin e mirë të qeverisjes lokale me atë qendrore në rastin konkret për të mirën e shëndetit të qytetarëve të komunës së Tuzit. Gjithashtu lavdëroi angazhimin e strukturave lokale për realizimin e këtij donacioni. Në vazhdim gjithashtu falënderoi popullin mik kinez dhe Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Mal të Zi për donacionet e shumta. Gjatë dorëzimit të automjetit, të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit dhe nënkryetarët e Komunës.

SHARE