GJUKANOVIQ NUK E KA NËNSHKRUAR SHTYRJEN E ZGJEDHJEVE NË BERANE DHE ULQIN

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka rikthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili parasheh që zgjedhjet lokale në 14 komuna të mbahen brenda një dite. Kjo nënkuptonte edhe shtyrjen e zgjedhjeve të shpallura më parë në Berane dhe Ulqin. “Në bazë të nenit 94, paragrafit 1 të Kushtetutës së Malit të Zi, po e kthej në rishqyrtim Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, të miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi i thirrjes së 27-të në seancën e tretë të jashtëzakonshme në 2022, më 4 shkurt 2022”, thekson Gjukanoviq në një letër drejtuar nënkryetarit të Kuvendit Strahinja Bullajiq. Ndër arsyet e një vendimi të tillë, Gjukanoviq rikujton se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve për këshilltarë në Kuvendin Komunal të Beranës dhe Kuvendin e Komunës së Ulqinit është marrë më 26 janar 2022 dhe se ka hyrë në fuqi po të njëjtën ditë. “Dëshiroj të theksoj se shpallja e këtij ligji, hyrja në fuqi e tij dhe veprimet e Presidentit të Malit të Zi në përputhje me kuptimin dhe frymën e tij, hapi çështjen e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe sigurisë juridike në sistemin politiko-juridik të shtetit, si dhe respektimin e ndalimit kushtetues të fuqisë prapavepruese të ligjeve dhe rregulloreve të tjera. Nga sa u tha më lart, e konsideroj të arsyeshme që Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale ta kthej në Kuvend për vendim të ri”, ka përfunduar Gjukanoviq.

SHARE