PROJEKTLIGJI PËR REGJISTRIMIN: GJOBA PËR ATA QË FOTOGRAFOJNË OSE INÇIZOJNË PYETSORIN

100 euro deri në 500 euro do të jetë dënimi  për personin fizik nëse keqpërdor procedurën e regjistrimit të popullsisë dhe praninë e regjistruesit, duke fotografuar ose inçizuar intervistat ose pyetësorët e plotësuar të regjistrimit, ose nëse e publikon regjistrimin apo fotografinë përmes internetit apo në media. Këtë e parasheh projektligji për regjistrimin e popullsisë, të cilin Qeveria e ka dorëzuar në procedurë parlamentare. “Personi i përfshirë nga regjistrimi nuk duhet të abuzojë me procedurën e regjistrimit dhe prezencën e regjistruesit duke regjistruar ose fotografuar rrjedhën e intervistave ose pyetësorët e plotësuar të regjistrimit dhe duke publikuar regjistrimin ose fotografinë publikisht përmes internetit ose medias”, thuhet në tekstin e propozuar të ligjit. Të njëjtat gjoba parashikohen nëse personi nuk jep të dhënat që i kërkon regjistrimi dhe nëse nuk jep përgjigje të saktë dhe të plotë për çdo pyetje. Regjistruesi është i detyruar të ruajë si sekret zyrtar të gjitha të dhënat për personat gjatë kryerjes së punës që i është besuar, dhe për këtë arsye duhet të nënshkruaj deklaratën për respektimin e parimit të konfidencialitetit, thuhet në propozim.

SHARE