PROTESTA NË MBROJTJE TË QEVERISË, BRATIQ FYEN PËRFAQËSUESIT E PAKICAVE

Mbrëmë në qytetet e Malit të Zi përsëri pati protesta sporadike në mbrojtje të Qeverisë aktuale. Në protestën në Podgoricë ishin prezent edhe ministrat Millojko Spajiq, Jakov Millatoviq, Ratko Mitroviq dhe Vesna Bratiq. Ministri Spajiq u tha gazetarëve se suksesi në Mal të Zi është i pafalshëm. “Njerëzit që nuk votuan për programin “Evropa Tani” duan ta zbatojnë atë program. Ata do të sabotojnë qëllimisht,” tha Spajiq. Ministrja Vesna Bratiq tha se nuk e prisnin një zhvillim të tillë. Ajo me tone emocionale i’u drejtua kryesisë së PSP se si mendon që me përfaqësuesit e partive të pakicave të nënshkruajnë Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe. Pas kësaj menjëherë erdhën dënimet ndaj deklaratave të saj, duke e akuzuar atë për fashizëm, shovinizëm dhe përhapje të gjuhës së urrejtjes. I gjithë reagimi i ministres Bratiq vjen pasi të premten, në protestën para Televizionit Publik të Malit të Zi u dëgjuan thirrje kundër Zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq, i cili ishte i ftuar në një emision të këtij televizioni dhe për disa momente u takua me protestuesit. Protestuesit e quajtën zotin Abazoviq “tradhtar” dhe “të shitur” duke theksuar se “propozimi i URA-së të Dritan Abazoviqit për formimin e qeverisë së pakicës është një përmbysje e drejtpërdrejtë e vullnetit elektoral”. Përpos thirrjeve të tilla, nga protestuesit u dëgjuan edhe fyerje ndaj shqiptarëve, siç është shprehja “Šiptar“ (Shiptar).

SHARE