Miratimi i Deklaratës në Samitin e Sofjes, në të cilën është përsëritur mbështetja e qartë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, ka shtuar nxitje për zbatimin e reformave të brendshme dhe përmbushjen më të shpejtë të standardeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vlerësoi Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq, gjatë takimit me delegacionin e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Kontrollit të Fondeve Evropiane të Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, kryesuar nga Kryetari i këtij Komitetit Kristian Vigenin.
Siç kumtuan nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, , Darmanoviq falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Malit të Zi, gjatë procesit të integrimit dhe theksoi rëndësinë e Samitit të mbajtur së fundmi në Sofje për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimin e tyre në BE.
“Ai tha se miratimi i Deklaratës, e cila në mënyrë të përsëritur e mbështet qartë perspektivën evropiane të Rajonit, si dhe orarin e presidencave të ardhshme nga Këshilli i BE-së, e që në fokus do të jetë zgjerimi i Bashkimit në Ballkanin Perëndimor, paraqet një shtysë shtesë për zbatimin e reformave të brendshme dhe përmbushjen më të shpejtë të standardeve për anëtarësim”, thuhet në deklaratë.
Duke folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, Vigenin theksoi rëndësinë e lidhjes më të mirë të infrastrukturës, si në vendet e rajonit, ashtu edhe me BE-në.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet politike të të dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se ka hapësirë për intensifikimin e bashkëpunimit në shumë fusha, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik.