VOTOHET QEVERIA E RE MAQEDONASE

Me 62 vota për dhe 46 kundër, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Votimit i parapriu një debat dyditor që përfundoi të dielën para mesnate. Qeveria e re numëron 21 anëtarë; 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate ka 12 anëtarë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa. Njëmbëdhjetë anëtarë të Qeverisë janë maqedonas, ndërsa dhjetë shqiptarë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka një plan të detajuar që të përballet me sukses me të gjitha sfidat që ndodhet para saj, ka deklaruar kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski. Prioritetet kryesore të ekzekutivit të ri të Maqedonisë së Veriut do të jenë përballja me krizën energjetike, zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja, tha shpreh Kovaçevski, i cili në Qeverinë e deritanishme ishte zëvendësministër i Financave. “Nuk kemi dilema se duhet të jemi më efikas në punën tonë që të kemi rezultate më të mira në punë. Programi jonë i Qeverisë bazohet në disa shtylla, por prioritet mbetet përballja me krizën energjetike, ngritja e standardit jetësor si dhe investimet e huaja… Ne kemi edhe prioritete tjera shumë të rëndësishme, si luftimi i krimit dhe korrupsionit, rritja e efikasitetit të punës së administratës, modernizimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor si dhe parandalimi i largimit të të rinjtë nga vendi”, ka deklaruar Kovaçevski duke u ndalur më pas në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. “Negociatat me Bullgarinë do të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh, pasi jemi shtete fqinje dhe duhet të bashkëpunojmë në të gjitha sferat, si mundësi e vetme për të mirën e dy popujve dhe shteteve tona”, ka theksuar Kovaçevski. Pjesë e Qeverisë së re janë edhe tri parti shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare.

SHARE